Nga Kastriot Dervishi
Në Shkodër u arrestuan shtetasit: Muhsin Elez Muka (65 vjeç, arrestuar më 3 maj 1966), Brahim Isa Tepelia (49 vjeç, arrestuar më 3 maj 1966), Hajdar Sadik Meta (33 vjeç, arrestuar më 3 maj 1966), Hamza Selim Cungu (48 vjeç, arrestuar më 7 maj 1966), Faik Qazim Hoxha (36 vjeç, arrestuar më 4 qershor 1966), Hafiz Sabri Idriz Koçi (45 vjeç, arrestuar më 4 qershor 1966), Hodo Isuf Sokoli (36 vjeç, arrestuar më 4 qershor 1966). Goditja e këtij “grupi” bëhej në kuadër të planeve të regjimit për luftën kundër fesë. Akuzat kryesore ishin ato që kishin të bënin me nenet 72 (sabotimi), 73 (agjitacioni e propaganda) dhe 64 (tradhtia ndaj atdheut) të Kodit Penal.
Proces gjyqësor u zhvillua në sallën e Shkollës Pedagogjike duke iu dhënë një rëndësi e madhe për mjetet propagandistike të regjimit. U realizuan disa foto, gjë që ishte shumë e rrallë për atë kohë.
Me vendimin nr.34, datë 10.9.1966 Gjykata e Qarkut Shkodër, i deklaroi dhe i dënoi: Muhsin Muka dhe Brahim Tepelia me vdekje (varje në litar), Hajdar Meta me vdekje (pushkatim), Hamza Cungu dhe Faik Hoxha me 25 vjet burgim; Hafiz Sabri Koçi me 22 vjet burgim, Hodo Sokoli me 16 vjet burgim. të gjithëve iu konfiskohej pasuria. Vendimet u lanë në fuqi, por me vendimin nr.143, datë 30.9.1966, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, Hajdar Metës ia ktheu dënimin me 25 vjet burgim. vendimet me vdekje nuk u ekzekutuan në litar, por me pushkatim.