14 Maji, ankimime për 6 kryebashkiakë…

Shpërndaje

Pavarësisht diferencës së thellë, rezultati i 14 Majit prodhoi një sërë ankimimesh nga partitë politike. Shumica prej tyre janë për anëtarët e këshillit, por nuk i kanë shpëtuar këtij procesi 6 kryebashkiakë të zgjedhur.

Bëhet fjalë për kryetarin  e Bashkisë së Krujës, Elbasanit, Rrogozhinës, Belshit, Kamzës dhe Kuçovës. Deri më tani, Komisioni i Ankimimeve ka rrëzuar kërkesën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për të shpallur të pavlefshëm rezultatin në bashkinë e Krujës. Ankimimet e 5 bashkive të tjera, ende nuk janë marrë në shqyrtim nga KAS.

Në dy qytete ku triumfoi PS,  shqetësimi i opozitës buron nga përdorimi i teknologjisë për votimin dhe numërimin elektronik.

Në Kamëz, “Bashkë Fitojmë” kërkon ekspertim kompjuterik të çdo pajisjeje elektronike me server për ruajtjen e të dhënave.  Ekspertizë të huaj opozitarët kërkojnë edhe për Elbasanin dhe gjithashtu ripërsëritje të procesit të votimit elektronik.

Votat e pavlefshme më të shumta se diferenca mes kandidatëve,  ka nxitur koalicionin “Bashkë Fitojmë” të kërkojë rivotim në bashkinë e Rrogozhinës.

Sa i takon Belshit, kërkohet rinumërimi i votave në të gjitha qendrat e votimit si dhe shpalljen e pavlefshme të procesit të votimit në burgun ‘Kosovë’.

Deri në përfundim të procesit të ankimimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do mund të certifikojë zyrtarisht fitoren për këta kryebashkiakë.

Shpërndaje