
Galeria e Artit Tiranë hapi dyert për ekspozitën unike “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare”, një nga paraqitjet më të rralla të artit bardhezi të familjes Marubi. Kjo ekspozitë vjen në kuadër të 100-vjetorit të dinastisë, duke sjellë imazhe të jashtëzakonshme nga tre gjenerata mjeshtërish të fotografisë: Pietro, Kel dhe Gegë Marubi.
Nga arkivat e viteve 1865–1959, ekspozita përmbledh një pasuri të jashtëzakonshme prej mbi 150 mijë xhama negativë, të ruajtur në Muzeun Kombëtar “Marubi” në Shkodër. Për herë të parë, kjo trashëgimi e çmuar po zgjerohet përtej Shkodrës, duke pasur si ndalesë të parë Tiranën, e më pas Prishtinën.
“Kjo ekspozitë është një rrugëtim i pasur përmes 160 viteve histori. Është ndoshta hera e parë që sjellim një përmbledhje kaq të gjerë të dinastisë Marubi jashtë Shkodrës. Tirana është hapi i parë, por shumë shpejt do të pasojë edhe Prishtina”, – u shpreh Luçjan Bedeni, drejtor i Muzeut “Marubi”.
Ekspozita e Galerisë së Artit Tiranë vjen pas suksesit të prezantimeve ndërkombëtare, si në Muzeun e Fotografisë FOAM në Amsterdam (2016) dhe Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” (2019), duke dëshmuar rëndësinë dhe vlerën e kësaj trashëgimie unike në artin dhe historinë shqiptare.