Nga Amel Pervizi:
Më 1 Maj, në ditën e punëmarrësve, në rrethana të jashtëzakonshme.
Çdo fushatë elektorale e viteve të fundit në Shqipëri, përmban si kusht “rritjen e vendeve të lira të punës”.
Nuk i jepet rëndësi debateve për pagat reale, për kushtet e punës, për kontatat apo për rritjen në karrierë. Për shumë prej nesh këto janë tema që kemi zjarr ti diskutojmë pasi dalim nga bankat e fakulteteve, por mbasi “shtrohemi në punë”, më pas vetëm ankohemi pambarimisht. Stili i shpejtë i jetesës, sidomos në qendrat urbane (aq sa mund të quhet i shpejtë në Shqipëri*) dhe realiteti i kushteve të punës, na i zbeh idetë dhe ëndrrat për të patur një punë që na jep kënaqësi jo vetëm në aspektin monetar por dhe në formimin tonë profesional.
Në një shkrim që kam hasur këto kohë shkruhej:
-“Vitin e parë në punë mëson se si funksionon puna.
– Vitin e dytë në punë, mëson dredhitë e të gjithë punonjësve.
– Vitin e tretë në punë, arrin të kuptosh kur shefi ka bërë fjalë me gruan.
– Vitin e katërt në punë, përfeksionon çdo gjë të mësuar në vitin e dytë dhe të tretë.
– Vitin e pestë në punë (e deri në vdekje), mendon vazhdimisht si të gjesh mënyra të reja për të bërë sikur punon.
Ky është historiku i rritjes në karrierë për shumicën e vendeve të punës në Shqipëri.”
Meritokracia në gjetjen e një vendi pune, është gjithashtu një problematikë shumë e madhe në vend. Edhe bizneset private apo organizatat punësojnë individë “të paracaktuar”. Shumicën e njoftimeve për punë i përdorin thjesht për marketing të emrit të kompanisë pasi konkursi është thjesht një farsë.
Në Shqipëri kemi aq shumë problematika në këtë aspekt sa që për t’u dhënë drejtim, do të duhej që partitë politike të shmangnin retorikat e kota politike për së paku 15 vite dhe t’i jepnin përparsi vetëm debateve kontruktive që synojnë trajtimin real të këtyre plagëve që shkaktojnë ikjet masie të shqipëtarëve çdo ditë e varfërojnë më tej pjesën e atyre që zgjedhin të qëndrojnë.
Ne duhet të kërkojmë më shumë. Kjo nis me vlerësimin e vetes dhe kontributit që japim. Duhet të interesohemi më shumë për kodin e punës i cili na siguron shumë të drejta. Më pas duhet të ngrejmë zërin dhe të sakrifikojmë për këto të drejta.
Shpesh pyeten në intervista të ndryshme punëdhënësit dhe problematika që ato shtrojnë është: mungesa e krahut të punës. Dakord, kjo është problematikë reale por asnjëherë nuk përmendin faktin që rrogat që japin jo vetëm që nuk konkurojnë as fqinjët në rajon por dhe mes qyteteve të vendit ka diferenca të mëdha.
Nevojitet që ne, punëmarrësit, të organizohemi të gjithë bashkë dhe të imponojmë trajtimin e problematikave tona, përndryshe do të mbesim përjetësisht statistika të pavlera në të dhënat e Instat.